Zhbogar: Fillim i negociatave me BE-në vetëm nëse zbatohet marrëveshja me Greqinë

Hapja e negociatave për inkuadrim në BE qershorin e ardhshëm do të jetë e mundur vetëm nëse marrëveshja me Greqinë është e implementuar tërësisht, thotë Samuel Zhbogar, ambasadori i BE-së në Shkup, në intervistë për ueb-portalin rajonal “Juropian Uestern Ballkans”.

Marketing

“Referendumi është ditë e rëndësishme për vendin sepse qytetarët në të nuk do të vendosin vetëm për marrëveshjen me Greqinë, por edhe për atë se çfarë të ardhme duan. Vetë pyetja është e lidhur me anëtarësimin në BE dhe në NATO, por edhe po të mos ishte ashtu, është shumë e qartë se suksesi i referendumit dhe konsekuencat që do të pasojnë – ndryshimi i Kushtetuës, janë parakusht që vendi të shkojë përpara lidhur me eurointegrimet e veta”, thekson Zhbogar, i pyetur për pritjet e tij nga referendumi.

Ai përkujton se anëtaret e BE-së vendosën në qershor t’i hapin negociatat për një vit, dhe tashmë ka filluar procesi i skriningut që gjithçka të jetë gati për qershorin e ardhshëm, kur ministrat duhet të sjellin vendim të ri. Parakusht për atë, thotë, është të implementohet marrëveshja.

“E kuptoj se ai është vendim i vështirë, në pyetje është emri i vendit. E kuptoj emotivitetin e njerëzve të cilët luftojnë me këtë, por gjithashtu jam i bindur se maturia do të mbisundojë ndaj emocioneve… Njerëzit duhet të dinë se ne do ta respektojmë vendimin e tyre, sepse ata duhet të jetojnë me konsekuencat e vendimit, por të gjithë shpresojmë, ndërkaq edhe liderët tanë ishin mjaft të qartë se rezultatet do të na mundësojnë të vazhdojmë me punën e hapjes së negociatave inkuadruese vitin e ardhshëm”, thotë Zhbogar.

Në pyetjen se çka do të ndodhë nëse referendumi nuk ka sukses dhe nëse kjo do të ketë reperkusione ndaj eurointegrimeve të Maqedonisë, Zhbogar thotë se është shumë me rëndësi njerëzit të mos shtyhen gabimisht të mendojnë se me votimin “kundër” marrëveshjes apo me bojkot nuk do të ketë pasojë ndaj eurointegrimeve.

“Kjo shumë qartë është e ndërlidhur dhe prandaj mendoj se është mirë për njerëzit të cilët do të votojnë ta dinë atë. Nuk dëshiroj të flas për skenarë negativë. Referendumi është konsultativ, me rëndësi është Parlamenti ta ndryshojë Kushtetutën me shumicë prej dy të tretave nga deputetët që është proces i kolplikuar. Prandaj nuk do të doja të flas se çka do të ndodhë nëse referendumi nuk ka sukses.

Por, është shumë e qartë se do të mund të flasim për hapje të negociatave qershorin e ardhshëm vetëm nëse marrëveshja implementohet tërësisht para fundit të këtij viti apo para ratifikimit të tij në Parlamentin grek”, thekson Zhbogar në intervistën e dhënë gjatë Forumit strategjik të Bledit që u mbajt më 10 dhe 11 shtator në Sllvoeni.