Eksperti juridik Naser Ziberi konsideron se dorëzimi i materialeve të Prokurorisë Speciale në Prokurorinë Publike para skadimit të mandatit të prokurores Speciale, përkatësisht para shkarkimit të saj në Kuvendin Republikan është zgjidhja më e mirë e mundshme, marrë parasysh mundësitë ligjore dhe rrethanat politike.

“Rrugëzgjidhja e vetme në mungesë të ndryshimit të ligjit për Prokurori Publike do të jetë marrja e lëndëve nga Prokurori Speciale në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ky proces aktualisht është duke ndodhur. Prokurori ka filluar përgatitjen dhe bartjen e lëndëve. Kuptohet që ndryshimet në ligjin për Prokurorinë Publike duhet të gjejnë zgjidhje edhe për statusin e ardhshëm të Prokurorisë Speciale, e cila sipas të gjitha gjasave duhet të ingranohet në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme qoftë si degë/sektor i veçantë në Prokurori, qoftë duke u ingranuar në sektorin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit”, tha eksperti juridik Naser Ziberi.

Sa u takon propozimeve të fundit të që u hodhën në tavolinë nga kreu i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, Ziberi konsideron se dyfishimi i Prokurorisë për Ndjekje të Krimit dhe Korrupcionit, që erdhi si propozim i pushtetit është i panevojshëm, ndërkaq propozimin e VMRO DPMNE-së për shkarkimin e Janevës dhge rizgjedhjen e një prokurore tjetër Speciale e cilësoi bllof. Sipas tij, po të shkarkohej Janeva para vendimit të Prokurorisë Pubolike për të marrë rastet e Speciales, VMRO nuk do të përkrahte zgjedhjen e një prokurori tjetër special, duke rrënuar kështu gjithë procesin që ka të bëjë me përgjimet e paligjshme.

“Propozimi i VMRO DPMNE-së mendoj se është një bllof politik me të cilin dëshirohet që në fakt të ndërpriten tëgjitha procedurat që deri më tani i ka ngrit prokurorja speciale. Sepse, po të shkarkohej prokurorja para se të bëhej marrja e lëndëve nga Prokuroria e Përgjithëshme ajo do t ënënkuptonte që të ndërpriten të gjitha procedurat dhe të mos ketë përfaqësues të autorizuar ligjor i cili do t’i mbrojë lëndët para gjykatave”, tha Ziberi

Ziberi sqaron se deri në miratimin e ligjit të ri për Prokurori Publike, kryeprukurori Jovevski duhet të vendos për prokurorët, hetuesit dhe administratën e Speciales, të cilët, sipas tij, mund të vazhdojnë angazhimin rreth rasteve përkatëse ose të kthehen në vendet e punës nga kanë ardhur dhe lëndët t’u besohen prokurorëve dhe hetuesve të tjerë.