Zigzag: Legjitimiteti

Zgjedhjet e 15 korrikut veshën me legjitimitet këta të cilët pritet ta bëjnë atë të kapshëm dhe të dukshëm për votuesin e pse jo dhe vrojtuesin. Tamam sikurse e thotë teorisieni Schimtter se legjitimiteti krijon si ‘obligimin për t’u bindur’, ashtu edhe ‘të drejtën për të sunduar’. Po kjo është kështu në rrafshin teorik dhe pranohet e zbatohet nëpër vendet me demokraci të zhvilluar.. Nëpër vendet në tranzicion kjo lë shumë për të dëshiruar…Ju rikujtohet gjatë fushatës parazgjedhore: Të gjithë flisnin për parime. Në përfundim të procesit, për të njëjtët besimi i shprehur rezulton të dalë – i huaj!

Marketing

Autor: Seladin Xhezairi

Shtetet shumetnike e shumëkonfesionale, veçmas ato që janë në një tranzicion të stërzgjatur, e kanë goxha të vështirë të flasin e lëre më të mburren për instalim të vlerave të qëndrueshme pikërisht për shkak të ndasive në blloqet ‘shumicë e pakicë’ që ka për pasojë atë që quhet diskriminim apo edhe diskriminim pozitiv.

Mozaiku bëhet edhe më i zbehtë kur shumica e shikon ‘pakicën’ vetëm nga prizmi numerik. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, të mos keqkuptohemi, kjo mund të vëzhgohet si në rrafshin qendror ashtu dhe në atë lokal, ku pozicionet e pakicë-shumicës janë të ndërruara dhe konform kësaj edhe përgjegjësitë e elitave drejtuese, thënë më mirë në pushtet.

Nejse, të dalim tek tema: Këto ditë Zoran Zaevi e Hristijan Mickoski e menjëherë pas tyre, besa, edhe Ali Ahmeti e Ziadin Sela, japin e marrin në përpjekjet e tyre, sidomos dyshja e parë, për krijimin e mazhorancës parlamentare dhe në këtë vijë edhe të koalicionit qeverisës. Asgjë e keqe këtu po të veprohej me transparencë e po të mos aktivizohej i ashtuquajturi populizëm politik e etnik.

Për herë të parë gjatë këtyre dhjetë palë zgjedhjeve, VMRO-DPMNE-ja, gjatë fushatës, nuk përdori atë vokabularin tipik diskreditues në raport me shqiptarët duke zhvilluar betejën parazgjedhore me oponentin e vet politik numër një – LSDM-në. Kjo e fundit, ndërkaq shpërfaqi dy kauza: ta mund partinë e Mickoskit, por edhe që BDI-në ta çojë në opozitë, duke pretenduar se lideri i saj maqedonas do të ishte ‘Princ Vidi’ i dytë ndër ne! Kështu ngjet kur hesapet bëhen pa hanxhinë! – thotë populli.

I vetëdijshëm për këtë, mbase, Ali Ahmeti e tha plotë triufalizëm atë fjalinë që jeton prej motesh në mbamendjen kolektive shqiptare pë ‘kthimin e shqiponjave në folenë e vet’, për t’ia rikujtuar rivalit maqedonas për ‘fronin’ shqiptar se më 2016 nuk arktëtoi rastësisht gjithë ato vota shqiptare dhe, pse jo, edhe nuk u bë rastësisht kryeministër!

Në bindjen time të fuqishme, Ziadin Sela, realisht, është ai që mund të këndellë frontin opozitar për të qenë alternativë karshi integristëve të cilët nga prizmi opozitar edhe mund të cilësohen si ‘të lodhur nga qeverisja’! Ama është pak e e besueshme, për të mos thënë aspak, që dje të angazhohesh për respektimin e legjitimitetit, ndërsa në fund të garës, ta kontestosh atë, madje shumë vonë – pas shpalljes së fitores që rezultoi të jetë humbje.

Ndaj dhe deklarata e tij se ‘nuk është për t’i besuar z. Ahmeti, sepse hyn në një rrugë bashkë me të dhe të lë në mes të rrugës’, më shumë duket si një reagim emocional për shkak se nuk e çoi atë dhe partinë e tij në opozitë, sesa një qasje a përqasje që do të arsyetonte pretendimet për parregullësitë zgjedhore!

Përtej kësaj, kujtoj se partitë politike shqiptare, të gjitha një për një, do të duhet ta vënë gishtin në mendje se o tash o kurrë, për shkak të raportit të forcave, shqiptarët edhe mund të notojnë në ‘dy gishta ujë’. Shkalla e legjitimitetit të fituar në këto zgjedhje ua ofron një komoditet të tillë. Çfarë ka për të qenë matematika dhe aritmetika e kundruar nga Zaevi (duke aktivizuar supermerkaton e transferit të mandateve nga partitë e tjera në kampin e socialdemokratëve), Mickoski (duke tentuar të bëjë për vete partitë shqiptare), Ahmeti (sa ka për që të qenë këmbënguës në platformën për Naser Ziberin-kryeministër) apo edhe Sela (si ka për t’u pozicionuar ndaj këtyre skenarëve pushtetndjellës), kjo mbetet të shihet.

Sidoqoftë, ankthi dhe makthi nuk do t’ju hiqet deri më 14 gusht, përkatësisht, deri sa ta njoftojnë Presidentin se kanë siguruar shumicën parlamentare. Mirë e ka thënë teorisieni Schimtter se legjitimiteti krijon si ‘obligimin për t’u bindur’, ashtu edhe ‘të drejtën për të sunduar’!

Marketing