Investim i ri në fushën e industrisë farmaceutike i Kompanisë gjermane “Gereshajmer”, që kap vlerën prej rreth 25 milion eurosh, u përurua në Zonën Industriale “Bunarxhik” në Shkup. Kompania e specializuar për prodhimin e produkteve të qelqit mjekësor dhe plastikës, fillimisht do të fillojë me prodhimin e shiringave, ndërsa më pas do të vazhdojë me ampulat.

“Për shkak të krizës nga virusi kemi humbur vetëm gjysmë viti. Iu siguroj se në dy-tre muajt e ardhshëm do të kemi një prodhim të konsiderueshëm këtu. Gjithsesi, kur bëhet fjalë për planet se si planifikohet të realizohet kjo, flasim për shiringat të cilat do të jenë baza e prodhimit të këtij investimi, megjithatë pa harruar edhe inovacionet dhe digjitalizimin që planifikojmë në vazhdim.”,- tha përfaqësuesi i “Gereshajmer”, Oliver Burgel.

Në përurimin e këtij investimi morën pjesë drejtori i Zonave Zhvillimore Industriale si dhe përfaqësues të tjerë qeveritar.

“Në pjesën e tërheqës së investimeve të huaja, kjo është faza e parë. Vetëm për t’iu përkujtuar bëhet fjalë për investim minimal prej 25 milionë euro, i cili akoma është në fazën e realizimit, ndërsa prodhimi funksionon.”,- tha drejtori i DZZHIT, Jovan Despotovski.

“Në krahasim me muajt e njëjtë të vitit 2020, kur akoma nuk kishte pandemi, kemi shënuar rritje të shkëmbimit tregtar për 6,7 për qind, rritja e eksportit është thuajse dyshifror dhe përbën rreth 10 për qind, ndërsa importi është 4,4 për qind.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi.

Bytyqi në këtë ngjarje u pyet edhe për protestën e gastronomëve para qeverisë. Tha se qeveria ka zgjedhur një model të përshtatshëm dhe të drejtë për të ndihmuar sektorin e turizmit dhe hotelerisë, duke e përfshirë atë në pakon e gjashtë anti-krizë, ku do të përfshihen 12 sektorë me 10 mijë kompani dhe 60 mijë të punësuar.