Zvicra e shet edhe ajrin!

Edhe pse ka marrë çmimin për “transportin më absurd”, ajri i pastër nga Alpet zvicerane dërgohet kryesisht në Azi, rreth 20.000 kilometra larg nga Zvicra, duke gjeneruar ndotje të tepërt.

“Shitja e ajrit alpin si një e mirë e konsumatorit është tronditëse. Transportimi i këtyre kanaçeve prej alumini që përmbajnë ajër, thjesht shkakton emetimin e CO2 dhe është krejtësisht i padobishëm”, është shprehur Jon Pult, presidenti i Nismës Alpine.

Drejtori i Swiss Air Deluxe, Markus Klinkmüller, ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, por tha se ai nuk e meriton një dallim të tillë të dyshimtë. “Ne përfitojmë nga hapësirat e papërdorura në anije transporti kur ato kthehen në Azi, kështu që gjurma jonë ekologjike është afër zeros”, tha ai.

Ky produkt, i cili shitet për CHF 20 një shishe, është reklamuar në faqen e internetit të kompanisë si “9 litra ajër të pastër malor zviceran të mbledhur në një lartësi prej 3000 metrash”, përcjell ndërkaq albinfo.ch.
Pavarësisht kritikave, kompania nuk e ka ndërmend të ndalet dhe do të vazhdojë të shesë ajrin e pastër të Alpeve zvicerane në qytetet e ndotura të Azisë.

evn