Interi e ka emëruar ish-trajnerin e Juventusit dhe Chelseat, Antonio Conte. Këtë vendim e zyrtarizoi klubi zikaltër të premten në mëngjes.

Antonio Conte e zëvendëson Luciano Spallettin, i cili u shkarkua dje, pas dy sezoneve me klubin italian. Zikaltrit e mbyllën sezonin në pozitën e katërt në tabelën e Serisë A, falë fitores 2:1 kundër Empolit në ditën finale. Kjo bëri që Interi ta zë një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Conte tani ribashkohet edhe me ish-drejtorin ekzekutiv të Juventusit, Beppe Marottan. Dyshja punoi bashkë për ta drejtuar Juventusin për tri triumfe radhazi në Serie A, mes viteve 2011 dhe 2014, para se Conte të bëhej trajner i Italisë dhe Chelseat, ku ai e fitoi titullin e Premierligës në sezonin debutues dhe titullin e FA Cup në sezonin e dytë.

Italiani ka qenë i papunësuar që kur u shkarkua nga Chelsea verën e kaluar, kryesisht për shkak të një beteje ligjore që përfundoi këtë muaj. Tribunali i Arbitrazhit të Trajnerëve të Premierligës vendosi në favor të Contes.

Chelsea është urdhëruar ta paguajë Conten rreth 9 milionë funte – shuma e mbetur borxh për sezonin e fundit në kontratën e tij në Stamford Bridge – dhe tani italiani është i lirë të marrë drejtimin e një klubi të ri dhe ka vendosur të kthehet në Serie A.

Sjellja me shumë pasion gjatë ndeshjeve e kishte bërë Contes të pëlqyeshëm për tifozët e Chelseat, megjithatë marrëdhënia e tij me bordin drejtues të klubit londinez nuk ishte e mirë, veçanërisht sa i përket transferimeve.

Ai gjithashtu u zu me Diego Costën dhe David Luizin, përderisa disa lojtarë të tjerë nuk ishin më tifozë të taktikave të tij. Pas fitores së Chelseat në FA Cup në vitin 2018, Willian e preu Conten në fotografinë të cilën e postoi në Instagram, ku ata po festonin.

Refuzimi i Contes të japë dorëheqje nëse nuk i jepet paga e plotë për vitin e mbetur në kontratë bashkë me vonesën e Chelseat në vendimin për ta marrë Maurizio Sarrin nga Napoli për ta zëvendësuar e krijuan një problem në skuadër dhe Conte e drejtoi skuadrën edhe për disa gjatë turneut parasezonal para se të shkarkohej.