Zyrtare:Shkëndija firmos me Valon Ahmedin

Mesfushori ofenziv i thotë ‘po’ ofertës së drejtuesve të klubit dhe firmos kontratë profesionale me kuqezinjtë.

Marketing

KF Shkëndija me kënaqësi komunikon marrëveshjen me futbollistin 25 vjeçar, Valon Ahmedin. Drejtuesit e klubit dhe mesfushori ofenziv kanë gjetur akordin për bashkëpunim në 3.5 vitet e ardhshme dhe pas firmosjes së kontratës lojtari tashmë zyrtarisht është pjesë e kuqezinjëve.“Ndjehem shumë i lumtur. Në rradhë të parë dua të falemenderoj të gjithë anëtarët e KF Shkëndija për pritjen e ngrohtë që më kanë bërë, për profesionalizmin e treguar, për besimin dhe për vlerësimin që më kanë bërë si futbollist. Përveç faktit se është një kënaqësi e madhe, mund të them se është një privilegj shumë i madh për mua si futbollist, sepse të gjithë e dijnë se Shkëndija ka qenë, është dhe do të mbetet historia e gjithë shqiparëve këtu në vendin tonë”, tha Valon Ahmedi pas zyrtarizimit të bashkëpunimit me Shkëndijën, duke vijuar:

“Jam shumë i lumtur për marrëveshjen me Shkëndijën, sepse rikthehem në vendlindje, në veçanti pranë të familjes time që paraqet një energji dhe diçka që nuk përshkruhet me fjalë, për faktin se deri tani kam luajtur çdo herë jashtë. Mua më mbetet që vetëm me punë, angazhim, me djersë dhe me përkushtim maksimal t’a kthej besimin e Shkëndijës në fushë për gjithçka që kanë bërë deri tani. Të them të drejtën mezi pres të nis punën me grupin”.

https://www.facebook.com/fcshkendija/videos/1712408682234339/

Valon Ahmedi në Tetovë vjen nga kampionati kroat ku u paraqit me Inter Zapreshiq. Paraprakisht ka luajtur me Ironi Kiryat Shmona të Izraelit, Mariborin dhe Celjen në Slloveni, si dhe me F.C. Südtirol të Italisë ku në vitin 2012 nisi karrierën si profesionist. Kërçovari regjistron dy paraqitje me kombëtaren A të Shqipërisë, pasi paraprakisht është paraqitur me gjeneratat U21 dhe U19 të kuqezinjëve.
Valon Ahmedi do të bashkohet me ekipin që në grumbullimin e parë të planifkuar për datën 5 janar, ndërsa bëhet përforcimi i dytë i Shkëndijës në këtë afat kalimtar, pasi prej më herët është konfirmuar marrëveshja me mbrojtësin, Ardin Dallku.
KF Shkëndija i uron mirëseardhje Valon Ahmedit, duke i dëshiruar suksese dhe shumë fitore me fanellën e skuadrës tonë!

Marketing