Zyrtari i SHBA: Publikut t’i thuhet e vërteta, jo informacion i filtruar

Një zyrtar amerikan i shëndetësisë, i cili pretendon në një ankesë se u shkarkua për shkak se i dha përparësi shkencës në përgjigjen ndaj koronavirusit të qeverisë amerikane, do t’u thotë ligjvënësve të enjten se publikut duhet t’i thuhet e vërteta dhe të mos i jepet informacion “i filtruar për arsye politike”.

Marketing

“Ne duhet të dimë dhe të vlerësojmë atë që po luftojmë. Ne kemi shkencëtarët më të mëdhenj të botës – ata duhet të lejohen të udhëheqin”, thotë Dr. Rick Bright në tekstin e fjalës së tij të hapjes, të publikuar përpara seancës dëgjimore nga Nënkomisioni për Shëndetësinë, në Komisionin për Energji dhe Tregti të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ligjvënësit duan të dinë më shumë rreth përgjigjes së qeverisë federale ndaj shpërthimit të virusit që ka vrarë më shumë se 84,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

“Ndërsa është e frikshme të pranojmë përmasën e sfidës me të cilën përballemi aktualisht, fakti i pamohueshëm është se do të ketë një ringjallje të COVID-19 këtë vjeshtë, duke komplikuar në masë të madhe sfidat e gripit sezonal dhe duke vendosur një tendosje të paparë në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor”, thotë Bright. “Pa planifikim dhe zbatim të qartë të hapave që unë dhe ekspertët e tjerë kemi përshkruar, viti 2020 do të jetë dimri më i errët në historinë moderne”.

Dr. Bright thotë se ai filloi në janar të paralajmërojë drejtuesit në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) në lidhje me një “mungesë kritike” të pajisjeve mbrojtëse që do t’u nevojiteshin punonjësve të kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara për të trajtuar pacientët COVID-19.

“Unë nxita HHS-in të rrisë prodhimin amerikan të maskave, respiratorëve dhe furnizimeve të tjera kritike, të tilla si ilaçet, shiringat dhe tamponët. Përsëri, urgjenca që ngrita u ndalua dhe më larguan nga takimet kryesore të nivelit të lartë për të luftuar COVID-19”, thotë Bright në deklaratën e tij.

Ai thotë se ai u prit me armiqësi nga drejtuesit e Departamentit amerikan të Shëndetësisë, dhe se zyrtarët vazhdimisht injoruan komentet nga të paktën një firmë prodhuese maskash që thoshte se kishte linja prodhimi të maskave të papuna, të cilat mund të riaktivizoheshin me ndihmën e qeverisë.

“HHS (Departamenti i Shëndetësisë) hedh poshtë me forcë pretendimet dhe karakterizimet në ankesën e Dr. Bright”, tha agjensia në një deklaratë.

Michael Bowen, zëvendëspresident i kompanisë “Prestige Ameritech”, konfirmoi se pati kontaktuar zotin Bright në lidhje me gatishmërinë e kompanisë së tij për të prodhuar maska, dhe thotë në deklaratën e tij para komisionit se ka paralajmëruar për mungesat e maskave në Shtetet e Bashkuara për 13 vjet.

Zoti Bowen thotë se Departamenti i Shëndetësisë, Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Çështjeve të Veteranëve dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve “mund të kishin punuar së bashku për të siguruar furnizimin me maska të Amerikës”.

Dr. Bright sugjeron në deklaratën e tij që qeveria të ndërmarrë disa hapa tani, duke përfshirë edukimin e publikut për veprimet thelbësore siç janë larja e duarve, distancimi fizik dhe përdorimi i duhur i maskave. Ai gjithashtu kërkon rritjen e prodhimit të pajisjeve dhe furnizimeve thelbësore, krijimin e një sistemi për t’i shpërndarë ato drejt në të gjithë vendin, dhe vendosjen e një strategjie kombëtare të testimit

Marketing